Ndonëse vetëm para dy vjetësh nisi karrierën me hitin “Columbiana”, rep-artistja e njohur kosovare, Tayna, është sot padyshim një nga emrat më të njohur e të suksesshëm në industrinë e muzikës shqiptare.
Pikërisht “Columbiana” ishte projekti që e vulosi suksesin e saj qysh në debutim.
Pas shumë hiteve të lansuara më pas, Tayna zuri vend edhe në “Official German Single Charts” me këngën “Edhe Ti”, bashkëpunim me reperin Mozzik, duke arritur kështu edhe një sukses, e kësaj radhe jashtë vendit.
Në rrjete sociale, vendi i saj është i padiskutueshëm, me 1.4 milionë ndjekës në Instagram, 400 milionë shikime në platformën YouTube dhe afro 400 mijë shkarkime mujore të këngëve në Spotify.
E tani, Tayna ka vendosur bashkë me menaxhmentin që karrierën e saj ta ngrit në një nivel tjetër.
Gazeta Express merr vesh se Tayna ka nënshkruar kontratë me Sony Music label Epic Records, dhe kënga e re me titull, “Bass”, do të lansohet këtë të diel.
Lajmi është konfirmuar nga Rinor Hykolli, menaxher i reperes.
“Jam shumë e lumtur të bashkëpunoj me Sony Music. Pas shumë diskutimeve të vazhdueshme, ne kemi arritur në një marrëveshje që të bëjmë një hap të madh. Kështu, unë do vazhdoj të zhvillohem artistikisht dhe plotësisht të fokusohem në muzikë”, është shprehur Tayna.
Duke pasur parasysh që një bashkëpunim i tillë do t’i hap rrugë të shumta rep-artistes kosovare, mbetet të shihen sukseset që do të pasojnë, tanimë në skenën ndërkombëtare të muzikës.