Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar gjoba për personat që nuk i respektojnë masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të vendosura nga Qeveria Hoti.
Sipas tij, në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve të AUV-it dhe ato komunale.
“Sot nis zbatimi i masave të reja anti-COVID-19. Jo nga dëshira, por nga imperativi i situatës së krijuar nga mosrespektimi i masave liruese. Mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore. Në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve (Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë etj). Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente”, ka thënë ministri Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se do të bëhet licencimi i institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për COVID-19, po ashtu blerja e 100 mijë testeve virologjike dhe 500 mijë vaksinave të gripit sezonal.
Sipas tij do të porositen edhe vaksinat eventuale kundër COVID-19 dhe do të blihen 7 aparate për testim.
“MASAT PARANDALUESE: Për të parandaluar virusin është vendosur që të ndalohet lëvizja në disa komuna gjatë orarit të caktuar, reduktim të numrin të të punësuarve në institucione, reduktim të shërbimeve shëndetësore jo esenciale në institucione shëndetësore, krijim të kapaciteteve të reja testuese në regjione, licencim të institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për COVID-19, blerje të 100,000 testeve virologjike, 500,000 vaksinave të gripit sezonal, porosi të vaksinës eventuale kundër COVID-19, blerje të 7 aparateve për testim, sigurim të terapive të COVID-19, pagesë dhe buxhet shëndetësor shtesë për personelin shëndetësor, pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor, etj. Ministria e Shëndetësisë ka përgaditur “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me COVID-19” që do të zbatohet menjëherë”.
Zemaj tutje ka shtuar se Institucionet shëndetësore do të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar rastet me COVID-19, si dhe do të riorganizohen klinikat në SHSKUK-së.
“KAPACITETET: Institucionet shëndetësore do të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar rastet me COVID-19, do të riorganizohen klinikat në SHSKUK-së, do të krijohen kapacitetet shtesë me shtretër në spitalet rajonale, në institucionet private shëndetësore do të krijohen kapacitete shtesë më shtretër, do të riorganizohet dhe rritet personeli mjekësor shëndetësor, mobilizimi stafit mjekësor në nivel vendi, në veçanti shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID-19”.
Qeveria Hoti ka marrë vendim për kufizim të qarkullimit në katër komuna të Kosovës.