Mustafa: Dialogu të zhvillohet pasi të sigurohet funksionimi i institucioneve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se duhet të sigurohet funksionimi i të gjitha institucioneve shtetërore, para se të zhvillohet ndonjë takim me palën serbe.

Duke komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për të mos udhëtuar në SHBA për t’u takuar me delegacionin e Serbisë, Mustafa tha se në Uashington “shkohet me përkrahjen e partive të koalicionit dhe opozitës”.

“Në LDK nuk ka konfuzion se a duhet të shkojë Kryeministri në Uashington apo jo. LDK beson fuqishëm në SHBA-të. Për ne Uashington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan. Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet ti prijë delegacionit”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Takimi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ishte thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell dhe pritej të mbahej më 27 qershor.

Më herët kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë pasi i duhet të kthehet në Kosovë për t’u marrë me situatën e krijuar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Vendimi i Hotit për të mos shkuar në Uashington, pason atë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili menjëherë pasi Prokuroria Speciale njoftoi për paraqitjen e aktakuzave ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e anuloi pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.