Presidenti i vendit Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti, do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë në takimin e 27 qershorit me palën serbe.
Mësohet se fillimisht takimi ishte planifikuar për më 25 qershor, por më pas është vendosur për datën 27.
Zyrtarisht kjo ende nuk është konfirmuar nga presidenca por as nga kryeministria.
Por, sipas Klan Kosovës, Thaçi dhe Hoti merret vesh se kanë diskutuar rreth takimit të Washingtonit sot gjatë takimit të parë të përbashkët të zhvilluar në Presidencë.
Ndërsa nga pala tjetër, Serbinë do ta përfaqësojë Presidenti Aleksandar Vuçiq si dhe Kryeministrja Ana Brnabiq.
Ndryshe, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi sot se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.
“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun. Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell në Twitter, shkruan Telegrafi.
Thaçi: Kosova gati për marrëveshje historike me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.
Thaçi, në një postim në Facebook, ka shkruar se tani u takon institucioneve të Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces.
Thaçi gjithashtu ka folur nëse ka një plan sekret në Shtëpinë e Bardhë ku më 27 qershor pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ka ndonjë agjendë të fshehur. Nuk ka asnjë marrëveshje në prapaskenë. Nuk ka asnjë plan sekret”, ka thënë Thaçi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.
Hoti, në një shkrim të bërë në Twitter, ka shkruar se aktivitetet e koordinuara me SHBA-në dhe Richard Grenellin, janë duke thënë rezultatet e para.
Ministri i Punëve të Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar njoftimin e sotëm të emëruarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se Serbia mund të ndalojë përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, vetëm nëse Kosova ndalon fushatën për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke shtuar se problemi është se “ne asgjë nuk i besojmë shqiptarëve dhe Prishtinës”.
“Nëse është e vërtetë ajo që e dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan, Richard Grenell postoi në Twitter, kjo do të thotë se ai mori garanci nga Prishtina se do të ndalojë fushatën për njohjen e Kosovës dhe kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe ky ishte pozicioni i Serbisë, i prezantuar vite më parë nga presidenti Aleksandar Vuçiq”, tha Daçi, shkruan Telegrafi.
WSJ: Trump, nikoqir i “samitit të paqes” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë
Njoftimin e Richard Grenell për takimin Kosovë-Serbi në Washington e komentuar edhe gazeta prestigjioze amerikane The Wall Street Journal, e cila shkruan se “Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë krerët e dy vendeve në Ballkan, në një përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje, pas mosmarrëveshjeve me dekada, të cilat edhe nxitën një ndërhyrje ushtarake amerikane në rajon”.
Sipas kësaj gazete, përkundër krizave, trazirave mbarëkombëtare dhe përhapjes së coronavirusit, Trump shpreson të sigurojë një traktat të qëndrueshëm zyrtar të paqes në një rajon që ka qenë një pikë e parë për rivalitetet e superfuqive, për të përmirësuar kredencialet e tij të politikës së jashtme, sipas zyrtarëve amerikanë.
Lajmi se më 27 qershor, përfaqësues të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë do të jenë mysafirë të presidentit amerikan, Donald Trump në shtëpinë e bardhë ka nxitur reagime nga diplomatë ndërkombëtarë. Njëri nga njerëzit që ka reaguar ka qenë edhe diplomati gjerman Wolfgang Ischinger.
Përmes një postimi në Twitter, Ischinger ka shprehur habinë, duke thënë se si kjo po bëhet pa koordinim me BE-në.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Ndërkaq, afro tre muaj më herët, BE-ja ka emëruar Miroslav Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Më pas kjo taksë u hoq dhe u vendos masa e reciprocitetit, por Serbia tha se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa heqjen e të gjitha pengesave.
Në fillim të muajit qershor, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut.