Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pret nga opozita mirëkuptim dhe gatishmëri për të diskutuar e bashkërenduar veprimet dhe qëndrimet e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë.
Në një postim në Facebook, teksa ka shkruar për javën e parë të punës si “sinjal të qartë të përkushtimit, punës dhe partneritetit”, Hoti ka thënë se është i përkushtuar që të ketë konsensus politik për çështjen e dialogut.
“Po ashtu, e kemi bërë publik para opinionit, partnerëve të koalicionit dhe atyre ndërkombëtarë platformën tonë për dialogun me Serbinë. I përkushtuar për konsensus politik, ftova miqësisht dhe institucionalisht opozitën. I falënderoj partnerët e koalicionit për përkushtimin në këtë proces dhe vullnetin e tyre për bashkërendim. Në anën tjetër, pres nga opozita mirëkuptim dhe gatishmëri për të diskutuar e bashkërenduar veprimet e qëndrimet e shtetit të Kosovës lidhur me dialogun në të ardhmen. Përkushtimi ynë për të promovuar subjektivitetin e vendit dhe për të ruajtur integritetin e tij janë synime të përbashkëta që ndajmë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar ai.
Hoti ka thënë se takimet me ambasadorët e QUINT-it dhe bisedat telefonike me administratën Trump “ishin hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, për të kthyer në normalitet mardhëniet tona të dëmtuara jo pak në të shkuarën e afërt”.
Kryeministri ka vazhduar se qëllimi i tij është kthimi në normalitet dhe zhvillim të vendit.
“Në ditët në vazhdim të gjithë do të shohim një energji të re të Qeverisë për të ndalur rënien ekonomike dhe për ta nxjerr atë në bregun e normalitetit dhe përparimit, një përkushtim për të promovur dhe monitoruar masat anti-COVID, të cilat janë jetike për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ekonomisë, si dhe një vullnet për të ulur heshtat e luftës së pakuptimtë politike, e cila çdo ditë e më shumë po kthehet qëllim në vetvete e jo në mbrojte të interesit qytetar”, ka vazhduar Hoti.
Ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se nuk do të marrë pjesë në diskutimet me Qeverinë për dialogun me Serbinë, ndërsa PDK-ja kishte thënë se s’do të komentojë asgjë “derisa nuk është zyrtare”.
Hoti kishte shpalosur të mërkurën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve kornizën dialoguese për fazën e ardhshme të negociatave. Ai ka thënë se do të udhëhiqet nga tri parime kryesore, e që janë: integriteti territorial është i panegociueshëm; marrëveshja duhet të garantojë që organizimi kushtetues i Kosovës nuk negociohet; dhe se marrëveshja duhet të jetë në frymën e aktit më të lartë juridik. Shefi i ekzekutivit ka propozuar themelimin e një forumi me liderët e të gjitha partive politike, ndërkaq brenda Zyrës së Kryeministrit do të formohet këshilli i ekspertëve. E Kuvendit do t’i propozojë themelimin e një komisioni parlamentar për dialog, të cilin duhet ta udhëheqë opozita.
Sa i përket rolit të presidentit, kryeministri ka insistuar se Thaçi duhet të mbetet brenda kompetencave që ia përshkruan Kushtetuta dhe se Qeveria është udhëheqëse e këtij procesi, ashtu siç e obligon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.