Si ta mbani peshën ideale pavarësisht festave

Një shprehje e urtë popullore thotë se njeriu duhet të hajë mëngjes si një mbret, drekë si një princ dhe darkë sikur të jetë i varfër.

Megjithatë, në këto ditët e festave, njeriu e ha mëngjesin, drekën e darkën si një mbret.
Rrjedhimisht, shtimi në peshë është i pashmangshëm.

Një kafshatë këtu e një aty, shtimi në peshë lehtësohet edhe nga mungesa e aktivitetit fizik që vjen si pasojë e dembelizmit dhe ditëve të arta të pushimit.

Një hap për përkujdesin ndaj vetes dhe shëndetit, është që të paktën në raste të tilla të përpiqeni fort që të paktën ta ruani peshën që keni.

Duke lexuar më poshtë në AgroWeb.org, do të mësoni disa këshilla të thjeshta që do ju ndihmojnë të mos pësoni luhatje të peshës.

Bëni ndryshime të vogla

Në larminë e ushqimeve dhe pijeve që do ju ofrohen gjatë festave, përpiquni të zgjidhni ato më të shëndetshmet.

Për shembull, pijet e gazuara mund t’i zëvendësoni me ujë të gazuar me limon ose fruta të tjera.

Ushqimet shumë kalorike mund t’i zëvendësoni me fruta dhe perime.

E fundit, por jo për nga rëndësia është që të përpiqeni të ecni 7000 hapa në ditë.

Jini të përgjegjshëm

Ekspertët e AgroWeb.org thonë se duhet të mbani shënime dhe të dhëna mbi progresin tuaj dhe të keni dikë që ju mbështet dhe ju nxit të jeni të përgjegjshëm në zotimin tuaj.

Kthejeni në aventurë

Këtë mision, mund ta ktheni në një aventurë të bukur e transformuese drejt ushqyerjes së shëndetshme.

Ju mund të instaloni aplikacione në celular që ju ndihmojnë të ndiqni progresin tuaj, të lexoni artikuj interesantë dhe të mësoni më shumë në internet për zgjedhjet më të mira në stilin tuaj të jetesës.

Në këtë mënyrë, do të ruani peshën që keni dhe nuk do ta teproni me gostitë e fundvitit.