Pesë punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Lajmi është bërë i ditur nga KEK-u. Të mërkurën është raportuar një rast pozitiv në Obiliq, e që është konfirmuar nga komuna se është punëtor i KEK-ut.
“Ju njoftojmë se pas testeve të bëra për COVID-19, kanë rezultuar pozitivë pesë kolegë tonë. Prandaj, kemi bërë planin që të gjurmohen kontaktet e tyre në KEK të cilët do të dërgohen menjëherë për testime. Të gjithë punëtorët që kanë pasur kontakte me personat e infektuar duhet që paraprakisht të vetëizolohen duke shmangur kontaktet me familjarët dhe kolegët. Në ndërkohë kërkojmë nga të gjithë punëtorët që të vazhdojnë me mbajtjen e higjienës dhe distancën sociale. Me rëndësi të veçantë të gjitha grumbullimet janë të ndaluara për shkaqe të evitimit të pandemisë. Menaxherët dhe mbikëqyrësit e kanë obligimin e përkujdesit për punëtorët përkatës dhe zbatimin e masave të nevojshme komfor rekomandimeve të IKSHPK-së. Menaxhmenti edhe një herë ju bën thirrje të gjithë punëtorëve të KEK-ut që të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së, duke e marrë parasysh se rreziku nga COVID-19 ende nuk ka kaluar dhe çdo moskujdes paraqet rrezik për të gjithë punëtorët e korporatës”, thuhet në njoftim të KEK-ut.