Specialja flet pasi vajza e Jakup Krasniqit alarmoi për gjendjen e tij dhe refuzimin për t’u mjekuar në qelinë e Hagës

Lidhur me këtë, Gazeta Express ka dërguar pyetje në Gjykatën Speciale. Zëdhënësja Angela Griep ka thënë për Express se për shkaqe privatësie nuk mund të ndajë detaje shëndetësore. 

Megjithatë ajo thotë se Gjykata Speciale garanton që Jakup Krasniqi ka qasje në sistem shëndetësor me standarde holandeze dhe nëse i duhet, jepen edhe shërbime specialistike. 

“Për arsye privatësie, nuk mund t’ju ofrojmë asnjë informacion mbi shëndetin e të paraburgosurit. Megjithatë, mund t’ju sigurojmë se z. Krasniqi ka qasje në kujdesin shëndetësor në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, e cila ka të njëjtat standarde si sistemi holandez i kujdesit shëndetësor. Të paraburgosurit, si dhe personat e dënuar, kanë qasje të përditshme te një mjek dhe u ofrohet qasje te specialistë mjekësorë nëse dhe kur është e nevojshme.”, ka thënë Griep për Express. 

Më 16 shtator 2026, Jakup Krasniqi, është dënuar më 25 vite burg nga shkalla e parë. Tashmë mbrojtja është duke u përgatitur për procesin e Apelit.