Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të paraqitura për shtatorin 2026, struktura e përfituesve nga skemat e mirëqenies sociale në Kosovë përfshin kryesisht fëmijët, pensionistët, kategoritë e dala nga lufta dhe familjet në nevojë.
Skema me numrin më të madh të përfituesve mbetet ajo e shtesave për fëmijë, nga e cila gjatë shtatorit kanë përfituar 374,652 fëmijë, me një mbështetje totale prej 13 milionë e 537 mijë e 935 eurosh.
Sa i përket shumës më të madhe të shpërndarë, primatin e mban pensioni bazik i moshës. Gjatë shtatorit 2026, për këtë skemë janë ndarë mbi 27.6 milionë euro për 172,721 përfitues, shkruan Telegrafi.
Në shtator të vitit 2025, kjo skemë numëronte 162,947 përfitues. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i përfituesve është rritur për 9,774 persona, apo 6.0%.

Të dhënat e ASK-së për vitin 2026
Rritje e theksuar vërehet edhe te përkrahja financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.
Gjatë shtatorit 2026, janë regjistruar 9,394 përfitues, të cilëve u janë ndarë gjithsej 659 mijë e 100 euro. Ndërkaq, në shtatorin e vitit 2025, kjo kategori kishte 3,960 përfitues. Kjo paraqet një rritje prej 5,434 përfituesish, apo 137.2%.
Ndryshime janë regjistruar edhe te kategoritë e dala nga lufta. Për veteranët e luftës, gjatë shtatorit 2026 janë shpërndarë 7 milionë e 840 mijë e 105 euro për 39,699 përfitues.
Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i përfituesve ishte 37,090. Kështu, numri i tyre është rritur për 2,609 persona, apo 7.0%.
Ndërkaq, për pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, gjatë këtij viti janë ndarë 3 milionë e 753 mijë e 648 euro për 12,332 përfitues.
Në shtatorin e vitit 2025, kjo kategori numëronte 12,533 përfitues. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i tyre ka rënë për 201 persona, apo 1.6%.

Të dhënat e ASK-së për vitin 2025
Në anën tjetër, skema e ndihmës sociale ka shënuar rënie të numrit të familjeve përfituese.
Gjatë shtatorit 2026, në këtë skemë janë regjistruar 14,664 familje, me një vlerë totale prej 2 milionë e 172 mijë e 544 eurosh. Në shtatorin e vitit 2025, skema përfshinte 16,474 familje.
Kjo do të thotë se numri i familjeve përfituese ka rënë për 1,810, apo 11.0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, kjo rënie e numrit të përfituesve nuk nënkupton domosdoshmërisht se ka rënë edhe numri i familjeve që kanë nevojë për ndihmë sociale.
Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare për të kuptuar se pse ka ndodhur kjo rënie e numrit të familjeve përfituese nga skema e ndihmës sociale, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Sa u përket lehonave, gjatë shtatorit 2026, mbështetje financiare kanë përfituar 6,817 lehona të papunësuara, në vlerë prej 3 milionë e 420 mijë eurosh. Ndërkaq, 2,176 lehona të punësuara kanë përfituar gjithsej 1 milion e 89 mijë e 500 euro.
Në tërësi, shifrat e paraqitura për shtatorin 2026 tregojnë rritje të numrit të përfituesve në disa skema, veçanërisht te mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe veteranët e luftës. Në të kundërtën, numri i familjeve përfituese të ndihmës sociale ka shënuar rënie krahasuar me shtatorin e vitit 2025. /Telegrafi/