Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime me rëndësi në fushën e shëndetësisë dhe inovacionit.
Një nga vendimet kryesore të miratuara është themelimi i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, një hap që synon avancimin e sistemit shëndetësor dhe krijimin e mekanizmave për financimin e shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në të njëjtën mbledhje është aprovuar edhe ndarja e 153 mijë eurove për mbështetjen e realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të “OctoberTech”, një iniciativë që synon të bashkojë aktivitetet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.
Sipas Qeverisë, mbështetja e këtyre ngjarjeve synon promovimin e ekosistemit të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes, si dhe fuqizimin e rolit të Kosovës në hartën rajonale dhe ndërkombëtare të zhvillimit teknologjik.
Vendimet e miratuara hynë në fuqi sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse.