Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se partia do ta shqyrtojë në detaje situatën pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hamza, para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së të enjten, tha se në diskutimet e partisë do të jenë në shqyrtim të gjitha format demokratike dhe ligjore.
“Ne do ta diskutojmë situatën, do ta diskutojmë detajshëm. Ne e kemi thënë, që të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion. Më tutje do të diskutojmë dhe pastaj do të shohim se cilat janë qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hamza.
I pyetur nëse PDK-ja mund të ndërmarrë iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hamza nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.
“Të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”, tha ai.
Deklaratat e Hamzës vijnë një ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan për krime lufte.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të kundërshtohet përmes procedurave të parapara të ankimit.