Arrestohet njё person në Klinë, i sekuestrohet një kallash

Një armë e tipit AK-47 dhe një karikator janë sekuestruar nga Policia në Klinë, pas hetimeve për një rast kanosjeje ku ishin të përfshirë dy të mitur.

Rasti i kanosjes është raportuar dje, rreth orës 09:10, në Stacionin Policor në Klinë, pas një mosmarrëveshjeje mes dy të miturve.

Gjatë hetimit dhe intervistimit të personave të përfshirë, policia ka pranuar informacione për një rast tjetër të dyshuar të mbajtjes, kontrollit ose posedimit të paautorizuar të armëve.

Pas veprimeve hetimore, zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar. Gjatë kontrollit, atij i është gjetur dhe sekuestruar një armë e tipit AK-47, si dhe një karikator i së njëjtës armë.

Pas intervistimit nga hetuesit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Rasti mbetet nën trajtim nga organet kompetente”, thotë PK.