Me ftesë zyrtare nga autoritetet e larta ekonomike të Republikës Popullore të Kinës, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në këtë shtet me zhvillim të fuqishëm industrial, delegacioni i AKB-së vizitoi fabrika dhe kompani të mëdha kineze, ku u mbajtën takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe ekonomikë.
Në kuadër të vizitës, u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet kompanive kineze dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor, me fokus në investime, transferim teknologjie dhe zgjerim të tregjeve, shkruan Gazeta Stop.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid022ANwpkxXgBKGhouGxKozPeHeF5R1V5n7stx9FF1XtWqTn8TGYUREV87G4Nrjmsojl&id=100058047594943Në prani të delegacionit të AKB-së, pala kineze theksoi interesimin për të investuar në rajonin e Ballkanit, duke e vlerësuar Kosovën si një vend me potencial të madh për bashkëpunim ekonomik.
Së shpejti, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja zyrtare e bashkëpunimit ndërmjet AKB-së dhe institucioneve ekonomike kineze, e cila do të hapë mundësi të reja për investime kineze në Kosovë dhe për bizneset kosovare që synojnë tregun kinez.
Delegacioni i AKB-së përfshin gjithashtu afaristët Shkëlzen Jusaj, Feriz Imeri dhe Miftar Kastrati, të cilët po zhvillojnë takime dypalëshe me kompanitë partnere kineze për identifikimin e projekteve konkrete bashkëpunimi.
Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare të Kosovës dhe në rritjen e mundësive për bizneset vendore në tregjet globale.