Në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së, u diskutua për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.
Projekt-buxheti për vitin 2024 me parametrat e përcaktuar nga Qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues, si në aspektin zhvillimor dhe në aspektin social dhe standardit jetësor. Ky buxhet është politik, diskriminues dhe bartje e projekteve prej viti në vit.
Rritja nominale prej vetëm 102 milionë euro realisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh nivelin e inflacionit për këtë vit dhe për vitin që vjen. Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje e as harmonizim, por zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit prej 5, 1% këtë vit dhe 2, 7% për në vitin 2024 e argumenton këtë konstatim. Ndarja e buxhetit për komunat e proklamuar si rritje prej 86 milionë euro, nuk është rritje por është mashtrim.
Investimet kapitale të shtuara për vetëm 48 milionë euro nuk mundësojnë zhvillim ekonomik. Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar këtë vit, ato janë bartur për vitin e ardhshëm por me vlerë të pamjaftueshme për t’u përfunduar.