Miratohet pakoja e ndihmave nga KE-ja, përfshihet Kosova me 100 milionë euro

Këshilli i Evropës (KE), gjatë ditës së sotme ka miratuar një vendim për të siguruar deri në 3 miliardë euro si ndihmë makro-financiare për dhjetë shtete.

Këto të holla do të ndahen që të ndihmohen këto vende të përballen me pasojat e shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Në këtë pako është e përfshirë edhe Kosova ku janë ndarë 100 milionë euro.

Pos Kosovës në pako është e përfshirë edhe Shqipëria ku janë të ndara 180 milionë euro.

Ndërsa për shtetet tjera janë ndarë kaq të holla: Për Malin e Zi 60 milionë euro, për Maqedoninë e Veriut 160 milionë euro, për Bosnje Hercegovinën 250 milionë euro, 150 milionë për Gjeorgjinë, 200 milionë për Jordaninë, 100 milionë për Moldavinë, 1.2 miliard euro për Ukrainën dhe 600 milionë për Tunizinë.

Në njoftimin e Këshillit Evropian thuhet se  shuma e mjeteve do të ofrohet në formën e huave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në kushte të favorshme.

“Ndihma e BE nga ky program do t’u shërbejë vendeve që e kanë pranuar të mbulojnë kërkesat shtesë financiare që u krijuan për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit “.

“Këto fonde do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për drejtimin e burimeve për mbrojtjen e qytetarëve dhe zbutjen e pasojave negative socio-ekonomike të pandemisë”, thuhet në njoftimin e KE-së.