Prokuroria e Hagës e ftoi për intervistim, Remi njofton se i është anuluar

Ish-Komandanti i UÇK’së në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka njoftuar se ftesa që kishte pranuar Zyra e Prokurorit të Specializuar për intervistim për ditën e sotme, i është anuluar dje.

Ftesën për intervistim, Remi e kishte pranuar mbrëmjen e 1 nëntorit.

“Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, me 3.11.2023, në ora 09:00. Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar”, ka shkruar Remi.

Duke njoftuar për anulimin e intervistimit, Mustafa ka thënë se është i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë. 

Tutje, Remi ka thënë se falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane.

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë. Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundosojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit.

Jam me fat që kam qenë njëri nga protagonistët e kësaj lufte, dhe të vërtetën e saj jam i gatshëm ta mbroj në çfarëdo cilësie. Falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin ne si komb dhe si shoqëri”, ka shkruar Remi.

Remi është intervistuar nga Specialja edhe më herët. Më 13 shtator, atij i ishte konfiskuar telefoni.