Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritete në Qeverinë e re të Malit të Zi, Fatmir Gjeka, ka thënë se koalicioni i ri qeverisës është “i prirë nga vlerat euroatlantike”.
Koalicioni i ri qeverisës është i përbërë nga parti proserbe dhe proevropiane dhe parti shqiptare, raporton Reuters.
Gjeka ka thënë se edhe ato parti që deri dje janë etiketuar pro serbe përmes një deklarate të nënshkruar një ditë më parë me subjektet tjera politike, përfshirë edhe ato shqiptare, kanë premtuar se do t’i mbështesin vlerat euroatlantike.
“Është zgjidhur një kryetar parlamenti, e kam parë reagimin e opinionit publik shqiptar, 75 për qind e qytetarëve të Malit të Zi janë pro BE. Një hap është bërë mbrëmë që subjektet që deri dje janë targetuar si subjekte proserbe kanë nënshkruar një marrëveshje me gjithë subjektet që prej tani do mbështesin vlerat euroatlantike. Ne shqiptarët këtu mendojmë me një kokë, kemi një vizion, që është BE, NATO, gjithë Ballkani në BE dhe Mali i Zi ndoshta do jetë shteti i parë që do anëtarësohet në BE. Koalicioni nuk është proserb, është qeveri dominante evropiane. Kryetari u parlamentit është i ish-atyre subjekteve pro serbe, por me një deklaratë ka premtuar se do bëjë një hap përpara”, tha Gjeka të martën mbrëma.
Gjeka është një nga tre ministrat në kabinetin e ri qeveritar. Aty është edhe Nik Gjeloshaj që ka marrë edhe postin e zëvendëskryeministrit për politika ekonomike, si dhe Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike.