Kampioni i Kosovës, Ballkani, humbi sonte ndeshjn e parë ndëkombëtare në shtëpi në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndaj kazakëve të Astanas me rezultat 1-2.
Me këtë humbje, zbehen shumë gjasat për suharekasit që të kalojnë fazën e grupeve në Conference League.
Pjesa e parë nisi shumë keq për Ballkanin, kur armeni Kamo Hovhannisyan kaloi mysafirët në epërsi pas vetëm shtatë minutash lojë. Pas 50 sekonda më vonë, barazohet rezultati. Harkimin e bukur nga e majta të Kryeziut e ktheu në gol pas gjuajtjes me kokë mesfushori Edvin Kuc.
Megjithatë, Astana realizoi sërish përmes Abzal Beysebekov, që doli të jetë rezultati final.
Tërë pjesën e dytë Ballkani sulmoi, pati dy tri raste shumë të mira që së paku të barazonte, por nuk ia dolën këtë herë lojtarët e Ilir Dajës të reagojnë dhe të gëzojnë tifozët e vet.
Pas kësaj humbjeje, suharekasit ia vështirësojnë shumë punën vetes, sepse mbeten me vetëm tri pikë pas tri ndeshjeve në grupin C.
Victoria Plzen në vendin e parë ka 6 pikë dhe Dinamo Zagreb e dyta me 3 pikë. Por këto dy ekipe kanë vetëm nga dy ndeshje të luajtura.