Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmin në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit.
Sipas tij, në krye të tij ndodhet ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.
“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllait të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka deklaruar se rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi, duke shtuar se nëse kjo ishte e rastësishme, do të tregojnë hetimet.
Sipas tij, grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë.
“Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se “në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”.
Mirëpo, Kurti ka thënë se Kosova nuk ka juridiksion në Serbi.
“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka shkruar tutje ai.