Sot, në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit janë themeluar dy qendra me bazë në komunitet të edukimit në fëmijëri të hershme, si rezultat partneriteti njëvjeçar të nënshkruar ndërmjet Devolli Corporation dhe UNICEF. Ky është një investim i rëndësishëm në zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve në Kosovë dhe kontribuon në zgjerimin e qasjes në shërbimet e edukimit në fëmijërinë e hershme në zonat rurale.
Nëpërmjet këtyre dy qendrave, më shumë se 60 fëmijë të moshave 3 dhe 4 vjeç do të kenë qasje në mundësitë për mësimin e hershëm si dhe zhvillimin holistik, në një mjedis të përshtatshëm të pajisur për të nxitur mësimin e bazuar në lojë. Edukatoret në qendër, të cilat gjithashtu mbështeten përmes partneritetit Devolli Corporation-UNICEF, do të marrin trajnime të specializuara për të promovuar zhvillimin socio-emocional të fëmijëve.
Devolli Corporation është duke ofruar edhe 300 dyshekë për fëmijë për Qendrat e Edukimit të Hershëm në katër komuna, prej të cilave 120 u dhuruan këtyre dy qendrave të reja në komunën e Dragashit. Ky donacion do të ndihmojë në zbatimin e aktiviteteve të ndryshme në programin mësimor.
Nevoja për investime në programet e zhvillimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë është evidente, me vetëm 15% të fëmijëve të moshës 3-4 vjeç të regjistruar aktualisht në edukimin në fëmijërinë e hershme. Kjo situatë prek në mënyrë disproporcionale grupet më të cenueshme, duke përfshirë fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ata që jetojnë në zonat rurale dhe ata që jetojnë në varfëri.
Përveç mbështetjes për qendrat në Dragash, ky partneritet do të mbështesë klasat e tjera parashkollore me pajisje dhe materiale mësimore për të përmirësuar mjedisin e të mësuarit me në qendër fëmijën dhe lojën, dhe për të kryer trajnime dhe aktivitete të tjera për të rritur njohuritë dhe aftësitë e prindërve që të mbështesin zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.
Nën ombrellën e këtij partneriteti, Devolli Corporation jo vetëm që po zgjeron mundësitë arsimore për fëmijët 0-6 vjeç, por edhe po promovon fuqizimin e të rinjve. Përmes Qendrës së Trajnimeve, Devolli Corporation ofron praktikë, mentorim dhe trajnim për të rinjtë përmes Kosovo Generation Unlimited. Kohët e fundit, Devolli Corporation hapi 100 pozita për punë praktike brenda bizneseve të saj, duke ofruar përvojën e parë të punës për të rinjtë dhe duke nxitur gjeneratën e ardhshme të fuqisë punëtore në Kosovë./Klankosova