Kuvendi i Kosovës sot mban një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Seanca e cila është paraparë të nisë në orën 11:00, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, të mërkurën ka shkruar në Facebook se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror, e kjo sipas tij, duhet të bëhet nëpërmjet votimit në Kuvend.
“Nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm. I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë”, ka shkruar ai.