Sveçla: Në grupin që kreu sulm terrorist në Banjskë, ishte edhe Milorad Jevtiç, bashkëpunëtor i djalit të Vuçiqit


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nga dëshmitë e gjetura në vendin ku ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, policia ka gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic, të cilat sipas tij, dëshmojnë se Jevtiç, ka qenë në grupin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës.

Sipas Sveçlës, Jevtiç njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërm të djalit të presidentit serb.


“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciq”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë kanë qenë me Jevtiç me të njëjtën veturë.

Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan. 

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, ka shkruar Sveçla.

Pjesë e grupit që kreu sulmin terrorist më 24 shtator, ku një polic i Kosovës mbeti i vrarë, ka qenë edhe Milan Radoiçiq, i cili në atë kohë ishte edhe nënkryetar i Listës Serbe.

Pjesëmarrjen në këtë sulm e ka pranuar edhe ai.

Radoiçiq është arrestuar në Serbi, dhe është liruar ende pa bërë 24 orë nga caktimi i ndalimit prej 48 orë. Ai nga gjykata atje është akuzuar se ka blerë armë nga Bosnja.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë në përleshje me Policinë e Kosovës dhe dy janë arrestuar.

Kosova ka kërkuar që Serbia të ndëshkohet për këtë agresion ndaj Kosovës, si dhe ka kërkuar që të ketë hetim ndërkombëtarë dhe personat përgjegjës dhe pjesëmarrës në sulm të ekstradohen në Kosovë.