Victoria Beckham ka folur hapur për dyshimet për një aferë jashtëmartesore të bashkëshortit të saj David. Kjo ishte një aferë shumë e përfolur dhe Victoria e ka përshkruar atë si “periudhën më të vështirë” të martesës së tyre, transmeton BBC.
Çifti më parë ka mohuar pretendimet se David kishte një lidhje ndërsa luante me ekipin e Real Madridit në vitin 2003.
“Ishte periudha më e vështirë për ne sepse dukej sikur bota ishte kundër nesh”, tha ish-anëtarja e grupit muzikor “Spice Girls” në një dokumentar të ri të Netflix-it për jetën e ish-futbollistit David Beckham.
“Ne ishim kundër njëri-tjetrit të jem plotësisht e sinqertë”, ka thënë ajo.
Në dokumentarin e titulluar “Beckham”, i cili u publikua të mërkurën, çifti nuk flet për detajet e asaj që ndodhi.
“Në Madrid, ndonjëherë ndiheshim sikur ne jemi kundër të gjithëve. Por ishim bashkë, ishim të lidhur, kishim njëri-tjetrin. Por kur ishim në Spanjë, nuk na dukej sikur kishim njëri-tjetrin gjithashtu. Dhe kjo është e trishtueshme”, ka thënë Victoria duke komentuar rreth asaj periudhe.
“Nuk mund të fillojë as t’ju them se sa e vështirë ishte dhe si ndikoi tek unë. Ishte një cirk absolut, është vërtetë zbavitës kur cirku vjen në qytet apo jo? Vetëm jo kur je vet cirku”, ka thënë ajo.
Kur këngëtarja, që tani është dizajnere rrobash u pyet nëse e kishte inat burrin e saj në atë kohë, ajo u përgjigj me sinqeritet duke pohuar.
“Të jem e sinqertë ndoshta kjo ishte periudha më e palumtur gjatë gjithë jetës sime”, tha ajo në lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë ish-futbollisti e përshkruan atë periudhë gjithashtu si shumë të vështirë, duke thënë se thjesht nuk e di se si i kanë tejkaluar ato telashe.
“Mendoj se të dy në atë kohë ndiheshim që nuk po humbnim njëri-tjetrin, por po fundoseshim”, ka thënë Beckham.
Dokumentarin e kanë lavdëruar shumë media ndërkombëtare si The PageFour, The Guardian, The Telehraph, etj.
Dokumentari i jetës së ish-yllit të futbollit David Beckham u lansua sot më 4 tetor në platformën e transmetimit “Netflix”.