Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se të dielën nga sulmi terrorist është kërcënuar siguria e vendit, është cenuar sovraniteti dhe integriteti territorial.
Ai para kabinetit qeveritar tha se atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi dhe potenciali i grupeve terroriste.
“Me mbi 5 milionë euro vlerë e armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Kryeministri tha se në sulm janë të përfshirë individë të sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuara për aktivitetet kriminale, gjersa theksoi se ata janë në kërkim edhe të institucioneve të drejtësisë për vepra penale në Kosovë.
“Ata shfaqen krah e përkrahë në një tryezë në Beograd e Rashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes”, tha Kurti.
Ai tha se përballë gjithë kësaj situate është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i institucioneve të sigurisë në përgjithësi.
“Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi më i madh i tyre që prej shpalljes së pavarësisë, kjo na bënë krenarë të gjithëve… Ju ftoj juve këtu dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të Policisë kurdo e kudo që i shihni…”, tha kreu i Qeverisë, raporton Telegrafi.
Sipas tij, sulmi terrorist i së dielës ka ekspozuar sa vështirësitë, edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtarë edhe më të madh në ruajtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.
“Kufirin me Serbinë më shumë se sa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, të rrezikshme dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar”, tha ai.
Kurti shtoi tutje se pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm të nënkryetarit të Listës serbe, Milan Radoiçiq, është vërtetuar rëndësia jetike e pluralizmit politik të serbëve në Kosovë.
“Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë…”, tha ai.