BE: Problemet të zgjidhen me dialog, depërshkallëzimi nevojitet urgjentisht

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë që situata mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë urgjente për depërshkallëzim.

“Në lidhje me ngjarjet specifike të djeshme, nuk kam pse ta përsëris dënimin më të rëndë nga Bashkimi Evropian ndaj sulmeve të tmerrshme terroriste që ndodhën kundër anëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Stano në konferencë për media.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë jashtë krizave të vazhdueshme dhe t’i kthehemi zgjidhjes normale të problemeve përmes dialogut sepse deeskalimi nevojitet urgjentisht, dhe kjo u nënvizua në mënyrë shumë të dhimbshme dje, por edhe ditë më parë, javë më parë, e madje edhe muaj më parë”.

Stanoja tha se BE-ja ka qenë shumë e qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët për të kontribuar në depërshkallëizm e drejt rrugës për pajtim e normalizim marrëdhëniesh.