Pozita dhe opozita nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët as për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e rezervave shtetërore.
Ndonëse partitë opozitare kanë mbledhur mbi 40 nënshkrime për themelimin e këtij komisioni, partia në pushtet ka kritikuar iniciativën e LDK-së, e cila është mbështetur nga PDK-ja dhe AAK-ja.
Në seancën parlamentar, e cila është thirrur për formalizimin e përbërjes së këtij komisioni, shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi ka bërë me dije se themelimi i një komisioni të tillë është i domosdoshëm.
“I paraqesim Kuvendit të Kosovës propozimin për formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin e rezervave shtetërore dhe hetimin parlamentar lidhur me keqpërdorimin e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekrete shtetërore për furnizime të tilla”, ka thënë Gashi.
Ai ka vlerësuar se është shumë e nevojshme të dihet se çka ka ndodhur me këtë procedurë.
“Duke pasur parasysh indicet përtej dyshimit të bazuara për abuzime të mundshme e konsiderojmë të nevojshme që të behet hetim i thelluar parlamentar. Me qellim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetuese parlamentar theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimit, veçanërisht kur kihet parasysh faktin që rezerva shtetërore është e nivelin prioritar të sigurisë nacionale. Mënyra e menaxhimi nga qeveria dhe institucioneve tjera të sigurisë është me rendësi jetike”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, hetimi i tillë duhet të ndodh.
“Ne deputet nënshkrues e konsiderojmë se është e domosdoshme që te kemi hetim parlament për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështje të rezervave shtetërore si dhe te propozojmë hetimin e çështjeve duke mos u kufizuar vetëm në çështjen ne vijim”, ka thënë Gashi.
Vullneti i opozitës për të themeluar një komision të tillë është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ushtruesja e shefja së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka akuzuar deputetët e opozitës se po duan të bëhen hetues dhe se nuk po i besojnë Prokurorisë.
“Me datën 5 shtator GP i LDK-së ka ndërmarrë një hap, që është hap i ngutshëm sipas VV-së, duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor për hetimin e procedurave të rezervave shtetërore. Disa muaj më herët, në foltore, e në medium, janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat. Dyshime për të cilat ka reaguar prokuroria, në gushtë në mënyrë spektakulare ka arrestuar dy persona në MINT.”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, opozita po dëshiron të krijojë skena dhe “shoë” mediatik.
“Kjo kërkesë nuk ka kuptim, opozita ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë, aktualisht po tregojnë mosbesim ndaj punës së tyre. Mendojnë që përfaqësuesit e Kuvendit mund të jenë hetues më të mirë, se sa organet e rendit. Më duhet t’i kthehem përvojës nga Komisioni Parlamentar për Menaxhimin e Pandemisë ku ka pasur dëshmitarë që nuk janë përgjigjur. Prandaj, do të përfundojmë me komision hetimor që synon të krijojë skena interesante, të krijojë shoë mediatik, të shpenzojë paranë publike, t’i kthejë deputetët në hetues, përderisa hetuesit janë duke u marrë me çështje.”, është shprehur ajo.
Pretendimet e deputetes së VV-së i ka kundërshtuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ai ka thënë se me këtë komision deputetët e opozitën nuk po duan të bëhen hetues.
Ai ka vlerësuar se komisioni nuk ka për qëllim aspektin penal.
Sipas tij, komisioni do të hetojë edhe mbledhjen online të Qeverisë, ku është vendosur për rezervat shtetërore.
“Ne nuk po kërkojmë me u bo hetues. Ne po kërkojmë ta përfundojmë mandatin tonë si deputet. Kam hyrë e kam bërë një hulumtim dhe e shihni mbledhjen e qeverisë. E keni vetëm një vendim. Siç duket ka qenë vetëm mbledhje online. Ka shumë çështje politike që kanë dërgu deri te marrja e këtij vendimi. Nga të dhënat në Komisionin hetimor për energjinë patëm edhe arrestime. Ato proces verbale të komisionit hetimor ju kanë shërby prokurorisë”, ka thënë Tahiri.