Abdixhiku shpalos 100 projektet e Rrugës së Re: E ardhmja jonë është e ndritshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do t’i shpalosë 100 projektet e zotimet më të mëdha të “Rrugës së Re”.

Abdixhiku shkroi në Facebook se këto projekte janë “të elaboruara në një program voluminoz të detajuar i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti”.

Projketet, përfshijnë buxhet 4.5 miliardë euro në fund të mandatit të parë, ndërtimin e një centrali me gaz, ndërtimin e një qendre të re spitalore në Prishtinë, ndërtimin e stadiumit kombëtar, e të tjera.

“Me bashkudhëtarët e Lidhjes – dhe jo vetëm – do të shpalosim secilin projekt në detaje. Do të hapim debate të gjëra në gjithë vendin. Do ta shpalosim të djathtën tonë si vlerë përparimtare e zhvillimore. Si antidot i zymtësisë së tanishme; si shërues i polarizimit përçarës; si shpërthim i ngufatjes në të shkuarën”, shkroi Abdixhiku.

“Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se “e ardhmja jonë është e ndritshme”.