Policia tregon depon e armatimit që u gjet në një shtëpi në Zveçan


Sasi e madhe e armatimit është zbuluar të martën në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.

Nga ky aksion i policisë nuk ka të arrestuar deri më tash, është bërë e ditur në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha para gazetarëve se policia ka arritur të gjeje katër pushkë automatike, karikatorë, eksplozivë, granata dore, municion dhe gjëra të tjera.

Ai ka thënë se në mesin e armatimit janë gjetur edhe kallashnikovë si dhe municion i kalibrit 5×56, që përdoret edhe nga forcat e NATO-s.

“Policia e Kosovës pas pranimit të një informate nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ka zhvilluar një bastisje në ‘Korile e poshtme’ në Zveçan, me c’rast gjatë bastisjes kemi hasur në armë dhe municion. Aty janë gjetur katër pushkë automatike, karikatorë, eksplozivë, granata dore, municion dhe gjëra të tjera. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e dedikuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në mbarë territorin e Kosovës dhe në veçanti në veriun e saj. Duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, atëherë del se ky vend ka mundësi të jetë edhe depo. Ne nuk kemi të arrestuar për momentin, por kemi persona të dyshimtë. Në mesin e armëve dhe municionit që ju i patë kishte edhe kallashnikov dhe municion 5X56, që i bie kalibër i NATO-s, e që është një rast interesant për t’u hetuar. Në pjesën veriore të Kosovës situate është e qetë, stabile, por delikate, duke marrë parasysh edhe zhvillimet politike të cilat po zhvillohen në vend”, ka thënë Elshani.

Për këtë aksion gjatë ditë ka njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri Sveçla ka bërë të ditur në një postim në Facebook se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

Armatimi i konfiskuar të martën në Zveçan: katër armë AK-47, 34 karikatorë të AK-47, 1546 fishekë të kalibrave të ndryshëm, tetë granata dore, një minë anti-këmbësori, dy gazëmaska, dy çanta ushtarake, një shok-bomb, dy fishekzjarrë, dy optika të armës, një thikë ushtarake, një maskë ushtarake, dy rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë, pesë çanta të vogla ushtarake, një rrip i pajisjeve ushtarake, një këllëf i postoletës dhe pajisje për pastrim të armëve.