Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar udhëzimin administrativ që u mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të largojnë kryetarët e komunave.
Ky udhëzim u hartua në kuadër të hapave që ekzekutivi kosovar po ndërmerr për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.
Qytetarët në këtë zonë – të banuar me shumicë serbe – po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill. Këto votime ishin bojkotuar nga popullata serbe.
Çfarë thotë udhëzimi administrativ?
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, publikoi udhëzimin administrim që kërkon mbështetjen prej 20 për qind të votuesve të një komune për të larguar kreun e pushtetit lokal.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në katër komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – në zgjedhjet e prillit të këtij viti të drejtë vote kishin 45.095 qytatarë.
Në udhëzim thuhet se mbledhja e këtyre nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.
Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.
Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.
Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.
Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.
Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.
Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.
Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.
Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.