Kusari-Lila bën kallëzim penal ndaj Slavko Simiqit për “incizim të jashtëligjshëm”

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka dorëzuar Kallëzim Penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit, ish-deputetit dhe zyrtar i Listës Serbe, Slavko Simiq, në lidhje me video-incizimet të cilat u publikuan në Gazetën Nacionale.

“Incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dezinfomuese nga ana tjetër”, ka shkruar Kusari-Lila, në një postim në Facebook.

Ajo ka përmendur edhe PDK-në se ka gisht në këto “aktivitete dezinformuese”, pa sqaruar më shumë. 

“Në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit. Burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK”.

“Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet”.

NJOFTIMI I PLOTË:

Incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dezinfomuese nga ana tjetër.

Të njëjtat tani janë pjesë e kallëzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023.

Përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar.

Nuk i ka mjaftuar incizimi, kjo vepër e rëndë penale, por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes.
Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante.

Të dashur qytetare e qytetarë,

Në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit. Burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK.

Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas.

Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit maj dhe qershor.

Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit.

Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet.

Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre.

Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë.