Faruk Mujka, Kryeshef i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, janë arrestuar dje nën dyshimet për korrupsion sa kanë qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të Komunës së Mitrovicës. Gjatë bastisjeve të Policisë, në pronën e njërit janë gjetur 60 mijë euro.
Përveç këtyre 60 mijë eurove, policia ka njoftuar se kanë gjetur edhe dy telefona, USB, tre laptopë, dhe dokumente lidhur me rastin.
“Mitrovicë Jug (NN) 25.04.2023-08:00-16:00. Më 14.07.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të lart-cekur. Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe banesat e të dyshuarve si prova materiale janë konfiskuar: 60.000 euro, 2 telefona, tre llap-topa , një USB dhe dokumente tjera të ndryshme lidhur me rastin. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në rapottin e policisë.
Ndryshe, Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale e urdhëresë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka kryer bastisjt në dy lokacione, pronë e Mujkës dhe Muzliukajt.
Në njërin prej lokacione, janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Mujka dhe Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.
Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.