Konjufca: Kurti po heq dorë nga fjala e tij, t’i tejkalojmë këto ditë të vështira

Në fjalën e parë pas rrahjes fizike në Kuvend, kryeparlamentari Glauk Konjufca, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë, me qëllim të uljes së tensioneve.

Konjufca kërkoi nga deputetët në Kuvend që me mirëkuptim të tejkalohen problemet dhe të vazhdohet me pyetje parlamentare në seancë. Ai tha se këtë e presin qytetarët, ndërsa për veprimet e sotme në Kuvend “duhet të merren organet kushtetuese”.

“Ne i kemi papajtueshmëritë më të thella ndonjëherë, por ato mospajtime i bëjnë nder Kosovës nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm të institucioneve tona demokratike, që monitorohen…Deri tash ia kemi arritur me sukses…Përpiqemi ta kalojmë këtë ditë të vështirë dhe këto ditë të vështira për vendin tonë. Po ju thërras për një minimum të një sjelljeje që do t’i gëzonte qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas Konjufcës, posti i deputetit është fisnik, ndërsa shtoi që pret nga deputetët të hapin një kapitull të ri, pas veprimeve të sotme.

“A është për deputetin si posti më fisnik në vendin tonë e denjë një sjellje e tillë. Në shpirtin e secilit e ndjej se po mendoni kështu. Bisedova edhe me kryeministrin, ai po heq dorë nga fjala e tij e nëse ne kemi mirëkuptim për të vazhduar me një pikë tjetër, e tejkalojmë atë pjesën tjetër dhe vazhdojmë të pyetjet parlamentare. Këtë mendoj se e presin qytetarët prej nesh, e për të tjerat duhet të merren organet kushtetuese. Ju lus për këtë kapitull të ri që duhet të hapet. Pas këtyre veprimeve uroj të mos përsëriten më. Nëse e kam këtë mirëkuptim mirë, nëse jo, do të ishte ogur i zi për Kosovën, i cili mendoj se na çon në faza krejt të paparashikueshme, edhe për Kosovën edhe për qytetarët”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit kërkoi që të mos ndodhin veprime “për diçka që nuk do ta donim ta shihnim vendin tonë në atë gjendje”.