Partia Demokratike ka reaguar pas një videoje të publikuar nga portali Nacionale për një bisedë mes shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq e cila pretendohet të jetë bërë në zyrën e Kusari-Lilës.
Ndër të tjera në bisedën e incizuar përmendet edhe një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojçiqin, i cili është i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, për rastin Brezovica gjithashtu person në listën e zezë të SHBA-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkruar në Facebook: “Albin, me Milan Radojçiqin, a me koordinim a pa koordinim”.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit të merret me personat që kanë kontakt me Radojçiqin.
“I bëjë thirrje Prokurorisë së shtetit të merren me të gjithë personat që kanë kontakt me Radojçiqin. Kjo e hap një kohë të re për VV-në që tregon sesi koordinohen me Listën Serbe”, ka thënë ai.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se duhet pasur koordinim me qytetarët dhe jo Listën Serbe.
“Nëse duhet të koordinoheni ju duhet të koordinoheni me qytetarët dhe jo Listën Serbe e Rajdoçiqin, marre ju koftë”, ka thënë ajo.
KOHA e ka telefonuar dhe i ka dërguar pyetje Kusari-Lilës për të marrë një qendrim nga ajo, por deri në publikimin e këtij artikulli ajo nuk është përgjigjur.
Ndërkaq deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka shkruar në Facebook se “Nuk qenka më pyetja Me a Pa koordinim. Pyetja qenka me kënd”.