Lionel Messi ka pranuar se Barcelona nuk ishte në nivelin e duhur para pezullimit të futbollit si pasojë e pandemisë koronavirus.
Ndërkohë që po i afrohemi rikthimit të kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampionëve, superylli argjentinas e ka komentuar formën e skuadrës së tij.
“Mund të ndodhë që pushimi të na shërbejë neve. Mirëpo, do të shohim nëse do të mund t’i vazhdojmë garat sërish dhe t’i tejkalojmë dyshimet. Do ta kontrollojmë nivelin në të cilin jemi dhe ku do të mund të arrijmë në momentin e rinisjes”.
“Në ndeshjet e fundit para pushimit, ishte e qartë se paraqitja jonë nuk ishte e mjaftueshme për ta fituar Ligën e Kampionëve. Asnjëherë nuk kam dyshuar te skuadra që jemi dhe kurrë nuk kam pasur dyshime se mund ta fitojmë secilën garë ku ndodhemi. Por, jo me mënyrën si po luanim”.
“Jam me fat që kam luajtur në Ligën e Kampionëve çdo vit dhe e di se nuk është e mundur ta fitosh duke luajtur ashtu si luanim ne”, i ka thënë Messi gazetës spanjolle Sport. /Telegrafi/