Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të mërkurën ka paralajmëruar një takim me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit që pati me gazetarë e analistë në “rrugën e re, pa Kurtin”.
Duke folur për mediat, Abdixhiku ka pohuar se do të takohet me Osmanin për të diskutuar gjendjen e tensionuar në veri, si pjesë e “planit të LDK-së për dalje nga kriza”.
Pas takimit me gazetarët dhe analistët, Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e tyre për idetë për daljen nga kriza, ndërsa ka thënë se do t’i bëjnë publike disa pika që i kanë prezantuar aty.
Sipas kryetarit të LDK-së, vendi nuk mund të jetë peng i një ideologjie, duke iu referuar kryeministrit Kurti.
“Gjendja është e rëndë, e zymtë. LDK-ja nuk mund të qëndrojë duar kryq. Kosova nuk mund të jetë peng e një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Kemi prezantuar disa pika, në fund do ta bëjmë publike. Do të vazhdojmë edhe me të tjerët përfshirë edhe me presidenten”, ka thënë Abdixhiku.
Ditë më parë, Abdixhiku e kishte refuzuar ftesën e Osmanit për një takim të propozuar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Përgjigje refuzuese kishte dhënë edhe PDK-ja.
LDK-ja ka nisur mobilizimin për takimet, që siç i ka konsideruar ajo, “për kapërcimin e izolimit dhe krizës”, për të cilin e fajësojnë kryeministrin Albin Kurti. Sot patën takim me gazetarë e analistë. Në ditët në vijim, takimi i dytë pritet të mbahet me organizata të shoqërisë civile, i treti me profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe i katërti me biznese nga sektori privat në vend.