Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj u është përgjigjur zërave që flasin për një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Deri më tash nuk ka pasur një bashkëpunim në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes. Ndoshta për shkak të faktit që ne kemi qenë në opozitë dhe nuk ka qenë një opozitë e zakonshme por ka qenë një opozitë e dhunshme në jetën tonë politike. Mandej pas 6 tetorit ata e formuan qeverinë dhe ne ishim ne opozitë”, tha Hoxhaj.
Thotë se aktualisht nuk ka bashkëpunim, por nuk e përjashton mundësinë që dy parti konfrontuese mund të plotësojnë njëra tjetrën.
“Ndoshta për shkak të asaj që jemi dy parti të ndryshme. Deri më tash nuk ka bashkëpunim. A mund të ketë në të ardhmen bashkëpunim do të shihet. Bashkëpunimi mes VV-së dhe PDK-së do të ishte një bashkëpunim jo i zakonshëm për shkak se jemi të ndryshëm, kemi pasur qasje konfrontuese”, tha Hoxhaj për rtv21.
“Do të ishte e barabartë sikurse në kozmologjinë kineze ai ‘Jing-Jang’ e bardha me të zezën që nënkupton që dy parti të cilat janë konfrontuese, kundërshtuese mund ta kompletojnë njëra-tjetrën dhe në ndërlidhje dhe në ndërvartësi ta bëjmë të fuqishëm vendin dhe njëra-tjetrën nëse gjejnë një gjuhë të bashkëpunimit. Por nuk besoj që kjo është e mundur në vitin 2020. Ku do të jemi më 2021 apo 2022 janë tema për të cilat nuk mund të përgjigjem sot meqë çdo ditë është e re dhe në përputhje me rrethanat mund të ndryshojnë edhe qëndrimet. Tash jemi kogjo larg”, theksoi Hoxhaj.