Lëndohet Elbasan Rashani, largohet nga grumbullimi

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar sot se futbollisti Elbasan Rashani nuk do të luaj ndaj Rumanisë për shkak të një lëndimi.

Rashani do të humb të dy ndeshjet me Kosovën gjatë muajit qershor, sfidën ndaj Rumanisë dhe atë ndaj Bjellorusisë.

“Mesfushori sulmues i Kombëtares së Kosovës, Elbasan Rashani ka pësuar një lëndim, për shkak të të cilit nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Alain Giresse për dy ndeshjet kualifikuese kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë për Euro 2024”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Kosova të premten do të përballet me Rumaninë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kosova ndodhet në Grupin I, ku poziconohet në pozitën e tretë në tabelë me vetëm dy pikë, nga dy ndeshje të zhvilluara.

Për “Dardanët” e domosdoshme është vetëm fitorja në rast të synimit për një vend në Evropian.

Përpos me Rumaninë, Kosova do të përballet edhe me Bjellorusinë. Ndeshja ndaj tyre do të zhvillohet të hënë në Hungari.