Sveçla: Kosova po përballet me tentativa për destabilizim, adresa është Beogradi

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla theksoi sot në një konferencë për media se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë parime normale në një vend demokratik.

Ai pas takimit të Këshillit të Sigurisë tha se javëve të fundit Kosova është përballur me tentativa për destabilizim në veri të vendit dhe sipas tij adresa është në Beograd.

Ministri i Brendshëm theksoi më tej se ajo çfarë kanë parë gjatë këtyre javëve janë grupe kriminale të orkestruara nga Beogradi, e të cilët kanë sulmuar KFOR-in, Policinë e mediat, raporton Telegrafi.

Sveçla tha se në tri javët e fundit këto grupe kriminale ka qenë më aktive.

Ndërkaq, duke folur për kidnapimin e policëve, ai tha se ishte i planifikuar nga Njësiti special i Policisë së Serbisë dhe Njësiti i ushtrisë “Kobra”.