Kurti në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot!

Në këtë datë dhe ditë të rëndësishme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Gluak Konjufca, morën pjesë në manifestimin qendror të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kryeministri tha se 10 qershori i vitit 1878  konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik të shqiptarëve, e i cili vazhdon dhe sot.

“Prandaj çdo 10 qershor, ne vijmë në Prizren për ta kujtuar Lidhjen Shqiptare nga vendi ku ajo u ngjiz dhe mori jetë pastaj, për tu shtrirë në krejt hapësirën shqiptare dhe tutje përpara në kohë deri te ne sot. Prandaj sot i kemi këtu edhe Presidentët e të dyja shteteve tona republikane, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptar. Prandaj jam dhe vetë këtu, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të përkujtojë rrënjët politike të qeverimit të shqiptarëve dhe të përforcojë lidhjet e qeverisë tonë me filozofinë politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ishin fjalët e kryeministrit Kurti.

Ai tha se ende kemi çfarë të mësojmë nga teoritë politike të Sami Frashërit dhe nga praktika diplomatike e Abdyl Frashërit; nga kuvendimet e Ilaz Pashë Dibrës dhe të Ymer Prizrenit si dhe nga organizimi ushtarak i Sulejman Vokshit e Ali Pashë Gucisë. Sepse rruga jonë e sotme, është rruga e tyre e dikurshme.

Më tej, kryeministri Kurti shtoi se duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm, për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian.

“Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth Lidhjes, si mendësi dhe vetëdije politike, mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë evropianë e amerikanë”, dhe se për këtë, Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot, tha ai në përfundim të fjalës së tij.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Shkëlqësia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqësia juaj, Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, dhe zonja e parë, Armanda Begaj,

I nderuari, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

E nderuara ministre e Ekonomisë,  znj. Artane Rizvanolli,

I nderuari ministër i Brendshëm, z. Xhelal Sveçla,

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Data e 10 qershorit është një ditë, që na kthen çdo vit këtu në Prizren, për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila u themelua në Prizren pikërisht më 10 qershor 1878, plot 145 vite më parë. Nga ajo ditë deri më sot, duke ecur nëpër etapa të ndryshme të historisë politike të tyre, në vazhdimësi shqiptarët janë kthyer dhe rikthyer me trup dhe me mendje kah Prizreni dhe kah Lidhja, për t’i përtërirë lidhjet e tyre politike mes vete dhe me të tjerët.

Por, çfarë ishte kjo lidhje atëherë kur nisi dhe çfarë është ajo sot që po e kujtojmë?

Një shekull e gjysmë më parë, Evropa u përballë me një fazë të re të asaj që ishte quajtur Kriza Lindore, e cila përfshinte përgjithësisht luftëra dhe rivalitete mes Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha të Evropës. Mes tyre, ngjashëm sikur dhe sot, veçanërisht problematike ishte Perandoria Ruse, e cila pasi arriti ta mposhte ushtarakisht Perandorinë Osmane, më 1878 i imponoi asaj Traktatin e Shën Stefanit, me anë të të cilit parashiheshin shtete të mëdha pansllave dhe proruse në Ballkan. Të alarmuar nga kjo shtrirje e madhe ndikimi të drejtpërdrejtë rus në gadishull, Britania, Gjermania, Austro-Hungaria, Franca dhe Italia, organizuan një kongres diplomatik në Berlin, ku bashkë me rusët dhe osmanët do ta rishihnin traktatin e tyre.

Më 10 qershor 1878, tre ditë para se të fillonin punimet e këtij kongresi ndërkombëtar në Berlin, duke dashur t’i paraprijnë atij, rreth 300 përfaqësues nga tërë hapësira shqiptare, u mblodhën në Prizren, te xhamia Baraklije, fare pranë nga këtu afër, për ta artikuluar vullnetin e tyre politik në sferën ndërkombëtare të kohës, pa dallim krahine e feje. Nga ajo ditë e tutje, ata u organizuan gradualisht në kuadër të një organizate politike të njohur si Lidhja Shqiptare, e cila ngriti edhe komisionet e saj për punë të brendshme dhe të jashtme, si dhe për financa, para se të bënte edhe trupat e saj të armatosura dhe deri te një trup ekzekutive.

Gjatë katër viteve pasuese, Lidhja Shqiptare ishte tejet aktive në njërën anë në mbrojtjen e trevave shqiptare nga dhënia dhe pushtimi i tyre prej shteteve të Ballkanit, si dhe në anën tjetër për angazhimin dhe avancimin e të drejtave dhe pozitave politike të shqiptarëve në Perandorinë Osmane, me kërkesa dhe synime për mëvetësi. Betejat e Lidhjes me Fuqitë e Mëdha, me shtetet ballkanike dhe me Perandorinë Osmane, vazhduan të ishin po të njëjtat beteja të shqiptarëve edhe në tre dekadat e ardhshme deri më 1912-ën, kur u shpall shteti shqiptar. Andaj, 10 qershori, është në po atë regjistër datash të rëndësishme, si 28 nëntori dhe 17 shkurti. 

Prandaj, 10 qershori i vitit 1878, konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik të shqiptarëve, e i cili vazhdon edhe sot. Prandaj, çdo 10 qershor, ne vijmë në Prizren për ta kujtuar Lidhjen tonë nga vendi ku ajo u ngjiz dhe mori jetë pastaj, për tu shtrirë në krejt hapësirën shqiptare dhe tutje përpara në kohë deri te ne sot.

Prandaj, sot i kemi këtu edhe Presidentët e të dyja shteteve tona republikane, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptar. Prandaj, jam dhe vetë këtu, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të përkujtoj rrënjët politike të qeverimit të shqiptarëve dhe të përforcoj lidhjet e qeverisë tonë me filozofinë politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Sepse, ne ende kemi çfarë të mësojmë nga teoritë politike të Sami Frashërit dhe nga praktika diplomatike e Abdyl Frashërit; nga kuvendimet e Ilaz Pashë Dibrës dhe të Ymer Prizrenit, si dhe nga organizimi ushtarak i Sulejman Vokshit e Ali Pashë Gucisë. Sepse, rruga jonë e sotme, është  rruga e tyre e dikurshme. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik atëherë, siç duam dhe ne shqiptarët sot. Ne duam menaxhim racional të burimeve ekonomike, si dhe ngritje të kapaciteteve sot, siç donin shqiptarët e kohës së Lidhjes atëherë. Me fqinjët ballkanikë përreth, Perandorinë Osmane mbi krye dhe Fuqitë e Mëdha në mes, krerët politikë dhe vetë populli shqiptar i kohës së Lidhjes, mbrojtën territoret dhe interesat e tyre politike atëherë, siç duhet ta bëjmë edhe ne sot.

Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë, po këtu.

Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm, për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth Lidhjes, si mendësi dhe vetëdije politike, mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë evropianë e amerikanë.

Për këtë, Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot!

Ju  faleminderit!​