Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme i bën bashkë pushtetin e opozitën

Projektligji për zgjedhjet e Përgjithshme i ka bërë bashkë pushtetin e opozitën në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mbështetur ia kanë dhënë dritën e gjelbër këtij projektligji në leximin e parë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se si kryeministër i vendit dhe kryetar i LVV-së ka shprehur përfundimin me sukses të kësaj reforme zgjedhore.

“Falënderoj komisionin dhe miqtë ndërkombëtar për kontributin e tyre profesional. Falënderoj OSBE-në dhe shoqërinë civile për qëndrimin kritik. Dua të falënderoj edhe KQZ-në për ndihmën e jashtëzakonshme me analiza e studime profesionale. Përpjekjet për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve të 2010-s që patën përfunduar me parregullsi të shumta që u patën kategorizuar nga ndërkombëtarët si zgjedhje me vjedhje industriale të votave. Pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte që kanë shpërfaqur probleme e mangësi nga misione të bashkimit evropian. Raporti i BE-së më 2022 adresoi 23 rekomandime që përfshinin domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore”, ka thënë ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj e mbështet projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“Duke marrë parasysh që komisioni ka marrë parasysh të adresojë të gjitha rekomandimet e BE-së ne si komision i kemi arritur të kemi konsensus të plotë. Grupi Parlamentar i LDK-së e mbështet projektligjin”, ka thënë ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se për këtë projektligj janë bërë bashkë të gjitha partitë politike.

Ai ka shtuar se një mësim që është marrë nga ky proces është që kur partitë politike vendosin të bëhen bashkë për një qëllim fisnik, ato i tejkalojnë interesat e veta dhe i japin Kosovës dhe sistemit demokratik një ligj që e ka konsensusin e plotë.

“Heshtja zgjedhore gjithmonë është keqpërdorur ndërsa tani vlen vetëm prej hapjes së kutive të votimit. Pika tjetër e rëndësishme është për diasporën, votimin mund ta bëjnë në kuti postare në Kosovë, në diasporë dhe në misione diplomatike. Një padrejtësi e madhe gjatë këtij procesi lidhet me ankesën, më herë ankesa ka qenë 24 orë sot i bie që ka kohë 48 orë. Kjo nuk është reformë e thellë por kjo reformë i ka përfillur 95 për qind rekomandimet e BE-së, SHBA-së dhe OJQ-ve”, ka thënë ai.