Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Sipas njoftimit për media, në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në tri komunat në veri të vendit pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe dhuna e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe.
“U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt”, thuhet në njoftim.
Kurti ka thënë se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj.