Reagon FFK-ja, pas polemikave për dy ndeshje

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka reaguar pas polemikave të shumta që shkaktuan dy ndeshjet e xhiros së 36-të. Në duelet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina, rezultatet ishin të dyshimta.

E nëpërmjet një reagimi të gjatë të lëshuar të hënën, FFK-ja ka njoftuar se ka marrë të gjitha informatat e duhura për këto dy ndeshje, që edhe janë më të përfolurat të xhiros së fundit për edicionin 2022/23.

Në fakt, me këto dy ndeshje u vendos se kush do të bie nga liga dhe cili ekip potencialisht pritet të paraqitet në garat evropiane. “Megjithatë, ndeshjet e xhiros së 36-të, në të cilat vendosej për rënie nga liga dhe për hyrje në barazh, bën shumë bujë dhe sollën polemika e komente të ndryshme. Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana, FFK-ja i ka marrë të gjitha informacionet relevante për dy ndeshjet më të përfolura të kësaj xhiroje, Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina. Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal”, thuhet në njoftimin e FFK-së. “Njëherësh, FFK reagon me ashpërsi ndaj çdolloj njollosje që i bëhet me deklarata të ngutshme dhe akuzuese, derisa është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas të gjitha investimeve që ka bërë për një garë sa më “fair-play”. FFK nuk do të lejojë që individë, grupe apo kushdo tjerë të prishin imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës”. FFK-ja, po ashtu ka shtuar se është e hapur për bashkëpunim me të gjitha organet, të cilat I inkurajon për hetim të detajuar për çdo pretendim të parregullt në kampionat. Madje, ka thënë se tashmë I ka informuar organet relevante të Kosovës dhe u ka ofruar bashkëpunim në adresimin e mëtejmë të kësaj çështje. “Federata, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, e nëpërmjet tij edhe me Prokurorinë e Shtetit, do të angazhohet maksimalisht për hetimin e të gjitha pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve dhe prishje të ‘fair-play’.

Çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse. FFK do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim maksimal për të mbrojtur integritetin e garave dhe imazhin e futbollit të Kosovës në përgjithësi. Në këtë kontekst, Federata fton të gjithë protagonistët e futbollit, si zyrtarët, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe mediat, që të angazhohen në promovimin e vlerave sportive dhe respektimin e rregullave të lojës”, ka vazhduar njoftimi. “Vetëm duke vepruar në përputhje me parimet e ‘fair-play’, futbolli ynë mund të vazhdojë të rritet dhe të jetë sporti më i popullarizuar në vend, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku që dukuritë e këqija të mos zënë vend në futbollin tone”. Tashmë është bërë e ditur se prokuroria ka nisur hetimet për dy ndeshjet e xhiros së fundit, që u luajtën të dielën.