Përkujtohen masakrat e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit


Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bëri sot homazhe te varrezat e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit, në nderim të të rënëve në këto fshatra gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministrin në detyrë e shoqëroi këshilltarja e tij Furtuna Sheremeti, e cila në portofolin e saj e ka edhe çështjen e krimeve të kryera gjatë luftës.

Krime të tmerrshme u kryen në këto fshatra 21 vjet më parë, duke lënë të vrarë 44 persona në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan. 

Gjatë muajit maj në të gjitha këto fshatra, plaçkiteshin, ndaheshin burrat nga gratë, kryhej pushkatimi dhe digjeshin shtëpitë me kufoma brenda.

Për disa prej këtyre vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili i përfaqëson viktimat në Beograd. Aktakuza ishte ngritur qysh në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me Aktgjykim të shkallës së parë tre persona u dënuan me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me pesë vjet, dy me nga dy vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave u tërhoqën akuzat. 

Por, në shkurt të vitit 2015 Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim.

Qysh prej asaj dite, gjykimi është akoma duke vazhduar. Qysh prej asaj dite, s’ka asnjë rezultat konkret.

Përkundër faktit që për momentin janë 11 të akuzuar e janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, akoma sot, në vitin 2020, nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar.

Viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, duke u dënuar kriminelët për vrasjet e shumta të tyre.