Apeli i IKSHPK-së: Kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të Covid-19, lani duart dhe mbani distancën


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHKP), ka bërë një apel të ri tek qytetarët që t’ju përmbahen masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 meqë virusi akoma gjendet në mesin tonë.

Sipas IKSHPK, qytetarët duhet të ndjekin me doemos udhëzimet  për distancën fizike si dhe mbajtjen e maskave, duke përsëritur që pastrimi i duarve me kujdes nga 20 deri në 30 sekonda është i domosdoshëm, njofton Klan Kosova.

”Të nderuar qytetarë!

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave!

Lani duart me kujdes 20-30 sekonda!

Virusi akoma gjendet në mesin tonë.

Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.

Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike.

Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19!

Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.

Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj!

Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.