Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, bëri të enjten betimin në këtë pozitë.
“Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha ai.
Ceremonia e betimit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut.
Betimin pritet ta bëjnë edhe kryetarët e rinj të komunave Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut e ka bërë më 19 maj.
Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.
Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”, ndërsa në Zveçan, kryetari Ilir Peci do të betohet në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune.
Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre – që të gjithë nga Lista Serbe – kanë dhënë dorëheqje.
Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.
Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.