Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi nga 10 komunat, pesë prej tyre që udhëhiqen nga kjo parti janë zgjedhur si më transparentet për vitin 2022 në raportin e fundit të Insitutit Demokratik të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i PDK-së tha se është krenar me qeverisjen komunale të partisë së tij, ndërsa ka përgëzuar kryetarin Fadil Nura i cili drejton Komunën e Skenderajt, për vendin e parë për transparencë.
“Kjo është ajo që kemi premtuar dhe, sot, jam tejet i lumtur dhe krenar që Kryetarët e komunave ku qeverisim ne, po përmbushin premtimet dhe vizionin tonë qeverisës: Transparent, profesional dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi.
Postimi i plotë:
Krenar me qeverisjen komunale të PDK-së!
Komuna e Skënderajt, e qeverisur nga Kryetari Fadil Nura dhe ekipi i tij, janë shpallur kampion të Kosovës në Indeksin e Transparencës për vitin 2022 – në raportin e fundit të Insitutit Demokratik të Kosovës.
Në mesin e dhjetë komunave më transparente dhe efikase janë edhe pesë komuna të tjera të qeverisuara nga PDK, Mitrovica, Prizreni, Drenasi, Ferizaj dhe Hani i Elezit.
Ndërkaq, në pjesën e parë të tabelës për qeverisje të mirë janë edhe Kaçaniku e Vushtrria.
Kjo është ajo që kemi premtuar dhe, sot, jam tejet i lumtur dhe krenar që Kryetarët e komunave ku qeverisim ne, po përmbushin premtimet dhe vizionin tonë qeverisës: Transparent, profesional dhe në shërbim të qytetarëve.
Faleminderit kryetarëve dhe ekipeve të tyre në Skënderaj, Mitrovicë, Prizren, Drenas, Ferizaj, Han të Elezit, Kaçanik dhe Vushtrri – për punën e mirë gjatë vitit të kaluar.
Le të jetë ky vetëm fillimi për një mandat efikas dhe që do të përmirësojë ndjeshëm komunat që ne qeverisim dhe jetën qytetarëve tanë që jetojnë aty.