Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, në fund të fjalimit në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se është ndier i fyer nga një pjesë e fjalimit të kryeministrit Kurti.
“Më lejoni t’ju falënderoj kryeministër ty dhe kabinetin qeveritar për përkrahjen e dhënë. Besoj që kemi punuar mbarë e mirë. Por, pothuajse se gjysma e kabinetit këtu përfaqëson një kulturë politike dhe me krenari përfaqëson LDK-në, prandaj çdo lëvdatë ndaj punës sonë është edhe lavdatë ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj nesh është edhe ndaj LDK-së. Çdo fyerje ndaj LDK-së është edhe fyerje ndaj nesh”.
Albin Kurti, në fjalimin e tij tha se në këto ditë u përballë me një president të frustruar dhe LDK-në e quajti parti të regjimit të vjetër.
“Është për keqardhje trajtimi që i është bërë kryeministrit dhe Qeverisë nga presidenti dhe nga regjimi i vjetër në këto 100 ditë. Për fatin e keq më së paku kam humbur unë e më së shumti shteti. Këta shtetin e japin por humbjen nuk e pranojnë”.