Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në prezantimin e të arriturave në 100 ditshin e Qeverisë së Kosovës ka thënë se, pas miratimit të Pakos Emergjente Fiskale janë formalizuar 12 mijë vende pune, kurse 1,400 prej tyre janë larguar nga puna.
Sipas tij, aktiviteti i MFT-së është përdorë për pakon dhe përcjelljen në zbatimin e saj.
“Aktiviteti i Ministrisë së Financave ka qenë e fokusuar gjatë kësaj kohe në tri aktivitete: përgatitja e financave për buxhetin e vitit 2020, intervenimet që është dashur të bëhen e që buxheti me qenë më afër standardeve të një buxheti normal. Pjesa tjetër është përdorë për Pakon Emergjente Fiskale dhe përcjelljen në zbatimin e saj”, tha Bislimi.
Duke përmendur edhe diskutimin për marrëveshje financiare, Bislimi tha po ashtu se buxheti nuk është dëmtuar ashtu siç është pritur nga ekspertët që do të ndodhë në kohën e pandemisë.
“60 ditë pas fillimit të masave, doganat kanë raportuar vetëm 35 milionë euro rënie të të hyrave në raport me vitin e kaluar, që është një performancë e jashtë zakonshme, që na bën shumë optimist edhe për periudhën e ardhshme”, tha ai.
Bislimi tregoi se janë formalizuar 12 mijë vende pune, kurse 1,400 prej tyre kanë humbur vendet e punës.
“Kemi 12 mijë vende të reja të punës të formalizuara. Formalizmi llogaritet si e arritur e madhe e Qeverisë. Kemi vetëm 1,400 persona që kanë humbur vendin e punës”, tha Bislimi.