14 persona nga Gjilani rezultuan pozitivë në testimet për COVID-19 mbrëmjen e së martës. Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në një lidhje direkte për Gazetën Express tha se sot do të ketë numër të konsiderueshëm të testimeve në këtë komunë
Rreth 70 persona po presin që të testohen sot për të parë nëse janë infektuar me virusin COVID-19.
Krejt kjo pasi po dyshohet se ata kanë pasur kontakt me 14 personat që rezultuan pozitivë mbrëmë.
“14 rastet e mbrëmshme janë të gjitha raste kontakti të disa ditëve të mëhershme. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, janë të gjithë në izolim. Sipas informatave nga qendra rajonale e shëndetit publik, sot është një numër i konsiderueshëm i mostrave që janë marrë, janë kryesiosht kontakte të 14 rasteve të reja. Numri i personave që do të testohen është rreth 70”, tha Ismajli në një lidhje direkte për Gazetën Express.
Ismajli deklaroi se 13 familje po qëndrojnë të izoluara, ndërkaq bëri të ditur se të gjithë këta persona janë raste kontakti të infermieres e cila punon në spitalin “Sirona” në Prishtinë.
“Aktualisht janë 13 familje që po qëndrojnë në izolim, 6 janë në fshat dhe 7 në qytet. Të gjithat janë familje të kontaktit të ngushtë me infermieren e punësuar në klinikën private “Sirona” në Prishtinë, kryesisht pothuajse të gjitha këto janë kontakte të saj”, deklaroi Ismajli.
Ismajli theksoi se gjendja shëndetësore e personave të prekur me COVID-19 është stabile.
“Sot i kemi vizituar shumicën e familjeve që janë me COVID-19 dhe gjendjen e kanë të mirë. Po mundohemi t’u qëndrojmë afër për të gjitha kërkesat që i kanë”, deklaroi Ismajli.
Ai bëri të ditur se janë ashpërsuar kontrollet e policisë në Gjilan, pasi sipas tij, virusi në Gjilan ka ardhur nga qytetet tjera.
“Është hera e katërt që po kthehet COVID-19 në Gjilan, është i bartur, janë raste kontakti të ardhura nga qytetet tjera. Kemi kontroll të shtuar të policisë në hyrjet e qytetit, sepse po konsiderojmë se kjo të paktën e zbut bartjen e virusit nga vendet tjera”, bëri të ditur Ismajli.
Ndërkohë, numri total i personave të prekur me acovid-19 NË Kosovë ka shkuar në 919.
Nga ta janë shëruar 671 persona, ndërkaq kanë vdekur 29.