Planet e Policisë për zgjedhjet në veri

Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të
institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet
dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të
ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e
Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së
Kosovës: para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe
pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin
sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme
etj.

Ky plan parasheh që Policia e Kosovës të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore
në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar
ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje.

Njëkohësisht, institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e
Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet
me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre.

Raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit,
KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës.